Dy qëllimet e vizitës së Lajçakut – analistët: Ai nuk mund ta bindë Kurtin, s’arritën ta bëjnë as Blinken e Borrell

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë- Serbi, Miroslav Lajçak, nesër do të jetë për vizitë në Kosovë.

Lajçak përpos Kosovës do ta vizitojë më pas dhe Serbinë, vizitë kjo me kërkesë e shefit të diplomacisë së BE-së, Josep Borrell.

Ai do të takohet nesër me presidentin Vjosa Osmani në ora 15:00, ndërsa nga Zyra e Kryeministrit nuk janë përgjigjur për Gazeta Blic lidhur me takimin e Kurtit me Lajçak.

Kurse, analistët kanë dhënë mendimet e tyre për vizitën e Lajçak në Kosovë dhe qëllimin e saj.

Analisti politik Imer Mushkolaj, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se Lajçak do të vijë për të caktuar një takim të nivelit të lartë Kurti-Vuçiq.

“Besoj se për të nisur masat për deeskalim të situatës në veri, Kosova mund ta bëjë edhe pa ardhur Lajçak në vizitë, por ndoshta qëllimi i tij është që ta caktojë një takim të nivelit të lartë në Bruksel, në mes të Kurtit dhe Vuçiq, në mënyrë që të provojë t’i japë zgjidhje në nivel pak më të lartë kësaj krize”, thotë ai.

Mushkolaj e sheh problematike punën e Lajçak si ndërmjetës, pasi thotë se tingëllon njëanshëm dhe se kërkesat e BE-së dhe të Serbisë janë të njëjta.

“Unë e shoh pak më problematike në përgjithësi këtë punën e Lajçakut si ndërmjetës, edhe pse tingëllon pak e njëanshme gjithë çka bën ai dhe kërkon Bashkimi Evropian, e që mund të jetë problem për Kosovën, d.m.th nëse i shohim kërkesat që i ka ndërmjetësi Lajçak, të njëjtat i ka edhe Beogradi edhe në Kosovë qysh më herët kanë shprehur rezerva për këtë qasje”, vlerëson analisti.

Ai thotë se Lajçak mund të sjell një propozim të ri për situatën në veri, ose për të organizuar një takim në mes Vuçiqit dhe Kurtit në Bruksel, ku do të mund të gjendej zgjidhje.

“Besoj që ai do të sjell ndoshta një propozim tjetër, jo në letër, por propozim verbal se si të dilet nga kjo situatë. Përndryshe, nëse mbesin palët në këto pozicione që i kanë është e pamundur për të bërë çfarëdo hapi përpara. E para, ose Lajçak do të sjell një propozim të ri për deeskalimit të situatës në veri, ose të organizojë një takim mes Vuçiqit dhe Kurtit në Bruksel, në të cilin eventualisht do të mund të gjendej një zgjidhje”, shprehet Mushkolaj për Gazeta Blic.

Por, sipas tij, nëse Lajçak vjen për të bërë presion si rëndom, nuk do të arrijë ta bindë Kurtin, pasi këtë nuk kanë mundur ta bëjnë as Borrell e as Blinken.

“Por, vetëm të vije e të bëjë presion siç ndodh rëndom edhe siç i kryejnë këto vizitat e zakonshme Lajçak, nuk besoj se do të ketë sukses, për shkak se është e pamundur që të ketë sukses për hapat për deeskalim të situatës, pasi kryeministri Kurti është në kontakt me Borrellin, që është punëdhënës i Lajçakut dhe është në kontakt me sekretarin amerikan të shtetit. Nëse Borrelli dhe Blinken nuk mund ta bindin kryeministrin që të ndërmarrë hapa për deeskalim, nuk besoj se Lajçaku është ai që do ta bindë”, potencon analisti.

Ndërsa, sa i përket masave të BE-së, Mushkolaj thotë se janë shqetësuese dhe e prekin Kosovën në çfarëdo forme, por që janë masa që mund të pezullohen nëse Kosova bën hapa përpara për deeskalim të situatës në veri.

“Masat janë ato që janë paralajmëruar. Unë i konsideroj shqetësuese për shkak se bëhet fjalë për masa që e prekin Kosovën ë çfarëdo forme dhe në anën tjetër Kosova e ka mundësinë që këto masa të suspendohen ose të ndërpriten. Ne si shoqëri apo institucione s’po kemi dëshirë që t’i quajmë sanksione po i quajmë masa, por sido që t’i quash, këto janë veprime të BE-së që ndikojnë në përgjithësi, qoftë në përfitimet që i ka Kosova prej BE-së, qoftë në raportet me të. Por janë masa që mund të pezullohen dhe suspendohen nëse Kosova bën hapa përpara për të deepërshkallëzuar situatën në veri. Por, po them prapë që për deeskalim ndoshta duhet gjetur një formulë tjetër, pasi po shihet se kjo formula aktuale nuk po çon përpara”, deklaron Imer Mushkolaj.

Ndërsa, analisti Dorajet Imeri, thotë për Gazeta Blic se qeveria nuk do të ketë ndryshim pavarësisht vizitës së Lajçak dhe se vizita e tij do të jetë për shtensiom të situatës në veri dhe përgatitje të terrenit për zbatim të marrëveshjes së arritur.

“Nuk pres ndryshim të qëndrimit të Qeverisë së Kosovës, lidhur me vizitën që do të ketë Lajçak në Kosovë. Natyrisht, ardhja e tij do të jetë në këtë frymë, në përpjekje për të rikthyer një situatë të favorshme, fillimisht duke e shtensionuar situatën në veri, dhe më pas edhe duke e përgatitur terrenin për të vazhduar më tej me implementimin e marrëveshjes së arritur deri më tash”, vlerëson Imeri.

Sipas tij, Qeveria duhet ta rishikojë pozicionin e saj për të gjetur një zgjidhje më kreative, derisa shton se Kosova e BE pavarësisht masave apo sanksioneve, do të ndërtojnë përsëri raporte.

“Por përsëri po them është e vështirë të pritet ndryshim të qëndrimit, pasi ka barrikadim të qëndrimeve nga qeveria e Kosovës, e cila kam një bindje se duhet ta rishikojë pozicionin e saj, jo në raport me respektimin e rendit dhe ligjit por sidomos sa i takon nevojës për të prodhuar një zgjidhje sa më kreative. Në fund të ditës, pavarësisht se sa do të zgjasë ky qëndrim dhe sa do të zgjasin masat apo sanksionet e BE-së ndaj Kosovës, përsëri Kosova dhe BE do të ndërtojnë raporte. Dhe prandaj duke e ditur orientimin tonë strategjik dhe të ardhmen tonë të synuar, mendoj se ajo duhet të jetë më kreative që të kalojë krizën në të cilën tashmë gjendet”, deklaron analisti Dorajet Imeri./Gazeta Blic/

E MËPARSHME

Situata në Veri, Clinton: T’i jepet fund kësaj marrëzie, qytezat u ndërtuan për të mirë të serbëve

E ARDHSHME

Edi Rama kujton momentin kur Clinton autorizoi bombardimin e Serbisë