Laporta: Ne do të vazhdojmë ta paguajmë Messin deri në vitin 2025…

Joan Laporta nuk iu shmang asnjë pyetjeje në intervistën për “La Vanguardia”. Lidhur me Leo Messin, ai theksoi: “Ne i detyrohemi për shtyrjen e faturës së pagave, gjë për të cilën është rënë dakord me bordin e mëparshëm dhe që prodhon pagesa në pritje, proces që përfundon në vitin 2025”.

I pyetur për zgjedhjen e argjentinasit për të shkuar në Miami, Laporta vlerësoi: “Unë e kuptoj, por një gjë nuk ka lidhje me tjetrën. Ne kishim një marrëveshje me La Liga-n që një pjesë të burimeve që kemi do t’ia kushtonim Messit. Brenda planit të fizibilitetit ishte menduar kjo gjë. Ne ia komunikuam këtë Jorge Messit. Ai më tha se Leo kishte kaluar një vit shumë të vështirë në Paris dhe se donte më pak presion. Me opsionin tonë, ai do të kishte vazhduar të kishte presion dhe e kuptova vendimin e tij. I uroj fat, do të përgatisim një super festë lamtumire për të. Në kuadër të 125-vjetorit të klubit tonë dhe kur të kthehemi në ‘Camp Nou’ do të ishte momenti perfekt”.

ANSU FATI – Laporta rekomandon: “Ai duhet të fitojë besimin e Xavit dhe kur të dalë në fushë, të bëjë diferencën. Mund ta bëjë këtë për shkak të talentit që ka. Jemi të kënaqur që po vazhdon me ne. Kemi oferta për Christensen, Pedri, Gavi, Araújo, Ter Stegen, Ansu, Raphinha, Balde, por ne nuk jemi një klub shitës”.

TEPRICAT – “Mendoj se me Tottenhamin do të arrijmë një marrëveshje për Lenglet. Na mungon ende blerësi për Dest, situatë që nuk mund të zgjidhet shpejt. Varet edhe nga pala tjetër. Për ne të gjitha janë raste që do të ishin zgjidhur dje”.

ZËVENDËSUESI I BUSQUETS – “Xavi e kupton situatën e klubit. Ai do të donte ta përforconte mesfushën, por e di se disa opsione janë të pamundura dhe ne nuk mund të gabojmë. Do ta shkurtojmë përparimin e talenteve të ekipit të të rinjve drejt Barcelonës së madhe. Kemi Marc Casadó, Pau Prim, Gerard Hernández ose Marc Bernal. Edhe Oriol Romeu ka pasur një vit të jashtëzakonshëm në Girona, ka dalë nga akademia jonë e të rinjve. Sekretariati teknik po punon për këto lloj opsionesh. Të shohim”.

RINOVIMI I XAVIT DHE LIDHJA E TIJ ME PEP – “Xavi e di që prioritet është përmirësimi i ekipit dhe plani i fizibilitetit. Më pas do të ketë kohë për zgjatjen dhe përmirësimin e kontratës së tij. Ai e meriton. Xavi dëshiron të vazhdojë dhe nuk do të ketë asnjë problem. Raporti im me Guardiolën? Nuk është i keq. Ajo që ndodh është se Xavi shfaqet si një figurë e madhe në Barcelonë dhe Guardiola është një nga referencat tona të mëdha, dhe këto gjëra ndodhin. Ndonjëherë mediat krijojnë ndjesinë se të lavdërosh Xavi do të thoshte të heqësh dorë nga gjithçka që na dha Pep, por nuk është kështu. Të lëvdosh Xavi nuk do të thotë të nënvlerësosh trashëgiminë e Pep”.

DECO DHE MARRËDHËNIET ME AGJENTËT – “Do ta shpallim Deco në rolin e ri në mes të korrikut. Ai do të luajë rolin e Txiki Begiristain në fazën time të parë si president. Marrëdhënia ime me Pini Zahavi apo Joge Mendes? E mirë, shkon shumë vite më parë. Ata na kanë ndihmuar. Shumica e menaxherëve të futbollit duan të kenë marrëdhënie të mira me Barçën, me bazë respektin reciprok. Këtu përmend edhe Iván de la Peña”.

E MËPARSHME

I refuzoi dy javë më parë, por Gerrard i bie “pishman” – ndryshon mendje dhe firmos në Arabi

E ARDHSHME

“Jam i varur nga trofetë” – Osimhen: Kam fituar një nga titujt më prestigjioz në botë