Në kujtim të mikut e kolegut Kreshnik Ajdini

Shkruan: Arben Ratkoceri

Në qershor të vitit 1999, sapo u çlirua Kosova, unë – Arben Ratkoceri,  Lirim Dullovi, Nebi Murseli, Suzana Ahmeti, Blerim Rashiti, Bujar Idrzi,  Saimir Derguti (tashmë i ndjerë), Osman Demiri, me në krye si drejtues Kreshnik Ajdinin e të finacuar nga një projekt i Zvicrës, bënim një radio-program “Fillimi i Ri” për nxitjen e refugjatëve të Kosovës që të kthehen në vendlindje.

Nën drejtimin e Kreshnikut, ky emision pati aq sukses sa një ditë të bukur të vjeshtës të po atij viti, na thirrën në një takim në Prishtinë zyrtarët më të lartë të UNHCR, ambasadës zviceriane dhe asaj japoneze.

Në takimet që patëm me disa vazhdime në zyrat qendrore të UNHCR në Prishtinë, me një ofertë matriale të jashtëzakonshme për kohën – për ne dhe Kreshnikun si drejtues, kërkohej që të themelonim ne Radio Telivizionin Kosovës me kusht që në gjashtë muajt e parë, në pozicionet drejtuese të mos jetë askush nga ish-punonjësit e Radio Televizionit të Prishtinës përveç nesh e Kreshnikut në krye.

Si dëshmitar i këtyre takimeve dhe palë e bisedimeve në krye me Kreshnikun, ku dominonte presioni “i butë” i ndërkombëtarëve – me theks ai material e të karierrës ndaj nesh, e sidomos ndaj Kreshnikut si drejtues, kjo ofertë u refuzua edhe atë pa hezitim nga Kresha, siç i thirnim atëbotë. Ishte ky burrë – ky profesionist që në asnjë mënyrë nuk pranoi që pa staf kosovarë të ish RTP-së, të ishim vetëm NE themeluesit e parë të RTK-së.

Qëndrimi i palëkundur i Kreshnikut që burimin e kishte te edukata intelektuale, profesionalizmi dhe dashuria ndaj Kosovës, na bëri ne të tjerëve që ishim më të rinj, ti rrinim mbrapa Kreshnikut pa hezitim dhe ashtu u bë – RTK e themeluan vendorët apo ish-punonjësit e RTP-së.

Nga kjo distancë kohore, kur e kujtoj këtë zhvillim, habitem me qëndrimin dinjitoz e të pathyer të Kreshnikut që përkundër joshjes materiale, ai nuk pranoi në asnjë mënyrë.

Jam i bindur që RTK do ishte më e mirë, por edhe mirëqenia sociale dhe karriera profesionale do të ishte shumë më e mirë e jona e sidomos e Kreshnikut si udhëheqës, por para kësaj Kresha si drejtues zgjodhi profesionalizmin e dinjitetin.

P.S. Meqë ka kaluar kohë, ndoshta mund ta kem harruar dikë nga kolegët apo ndonjë detaj të këtij zhvillimi, por thelbi është ky kujtim i evokouar e që fatmirësisht – përveç Kreshnikut që e përcollëm në amshim, shumica e të tjerëve jemi dëshmitarë të gjallë e unë i drejtpërdrejt!

E MËPARSHME

Gazetaria kosovare është e kalitur në luftë për lirinë e saj!

E ARDHSHME

Kosova nuk e dëmton dot Shqipërinë me mendtë e Albin Kurtit