Orientim proamerikan paraqet siguri, ardhmëri dhe prosperitet për rajonin dhe më gjerë

(Në nderim të  247 vjetorit të Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të
Amerikës)

Shkruan: Skender ASANI

Në 247 vjetorin e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, kemi shumë arsye të ndajmë me miqtë tanë amerikën gëzimin e festës së tyre kombëtare, duke shpresuar që miqësitë në mes të popujve duhet të mbeten garancë e kultivimit të respektit dhe dinjitetit reciprok. Dita zyrtare e Pavarësisë së Shteteve të Bashkuara u bë 4 korriku I vitit 1776, dita kur Kongresi Kontinental votoi për miratimin e
Dokumentit të Pavarësisë.

Në tekstin e Shpalljes së Pavarësisë Amerikane thuhet se: “Ne I konsiderojmë këto të vërteta si krejtësisht të qarta se të gjithë njerëzit janë krijuar me të drejta të barabarta, se perëndia u ka falur atyre disa të drejta të pamohueshme, ndër të cilat janë jeta, liria dhe mundësia për të ndjekur suksesin dhe lumturinë”. Amerika u krijua si shtet i emigrantëve që ëndrrën e tyre për një të
ardhme më të lumtur e lidhën me atdheun e tyre të përbashkët tejatlantik. Në Amerikë jetojnë edhe mijëra shqiptarë, të cilët jo vetëm që janë integruar, por janë bërë pjesë e begatisë dhe prosperitetit të shoqërisë amerikane.

Kontributi dhe konteksti i Amerikës në historinë politike të shqiptarëve, është i një rëndësie të jashtëzakonshme. Ky kontribut është shfaqur në disa raste dhe në disa faza të zhvillimit të proceseve historike, ku fati i shqiptarëve ndodhej në udhëkryq.

Në rastin e parë, ishte presidenti amerikan Thomas Woodrow Wilson (1856 – 1924), ai cili  në Konferencën e Paqes në Versajë (1919-1920) do ta shpëtoi Shqipërinë nga copëtimi, pasi që  kundërshtoi rreptë kompromisin “anglo-franko-italian”, me të cilin Shkodra dhe Shqipëria e Veriut do viheshin nën pushtimin e mbretërisë Serbo-kroato-sllovene (SKS).

Tash së fundi është zbuluar një telegram i rrallë (nga Ilir Ikjonomi)  I presidentit amerikan Woodrow Wilson për Shqipërinë, kur ai ishte duke u larguar nga Konferenca e Paqes e Parisit në qershor 1919.
Ky telegram shpreh gjithë kujdesin e Presidentit Wilson mbi ecurinë e ngjarjeve pas Konferencës së Versajes, sidomos mbi fatin e shqiptarëve.

“Desha që, përpara largimit, t’ju shpreh juve dhe kolegëve të tjerë, interesimin tim shumë të thellë për fatet e Shqipërisë. Kam frikë se mos në morinë e gjërave të tjera që mund të duken më të ngutshme dhe më të rëndësishme, nënvlerësohet vëmendja që duhet t’u kushtohet atyre të drejtave. Ju lutem të tregoheni shumë të kujdesshëm sa u përket atyre”, thuhet në telegram, i cili mban datën 30 qershor, 1919, dërguar nga anija SS George Washington me të cilin udhëtonte presidenti. Me këtë është dëshmuar se presidenti W. Willson ka qenë një mik I përkushtuar i shqiptarëve, i njohur për shprehjen e tij lapidare në Versajë:

“Një votë kam edhe atë do t’ia jap Shqipërisë, sepse Shqipëria duhet të ekzistojë.

” Rasti i dytë – gjatë mandatit të parë të presidentit Harry S. Truman (1884 – 1972), senatori pro grek, Papen, kishte bërë një rezolutë të cilën e plasoi në Kongresin amerikan përmes të cilës ai kërkonte që Korça, Gjirokastra dhe Saranda t`i jepeshin Greqisë, të cilën Rezolutë nuk e nënshkroi presidenti H. Truman, dhe  nuk pati më asnjë vlerë për Greqinë. Kjo është edhe arsyeja pse ajo kurrë nuk e shfuqizoi “Ligjin e luftës” ndaj Shqipërisë.

Rasti i tretë  –  ishte presidenti amerikan George H. W. Bush (1924 – 2018), ai i cili në prag të Krishtlindjeve në vitin 1992 për here të parë ia përmendi  Millosheviqit “Vijën e kuqe”, shprehje kjo që u lexua edhe si kërcënim i hapur ndaj Serbisë nëse do të guxonte të ndërmerrte masa represive ndaj Kosovës dhe shqiptarëve.

Rasti i katërt – lidhet me intervenimin ushtarak i NATO-s , ku roli I SHBA dhe presidentit të atëhershëm Bil Klinton ishte kolosal në udhëheqjen e fushatës ajrore me bomba kundër Serbisë, që zgjati 78 ditë, nga data 24 mars 1999 deri më 10 qershor 1999, kur Serbia u detyrua të nënshkuaj kapitullimin në Kumanovë dhe të tërhiqet nga Kosova si humbëse e luftës. Presidenti Klinton, Gjenerali Klark, Sekretarja e shtetit Olbrajt, do të nguliten thellë në memorien e shqiptarëve, sepse ishin ata që vunë në lëvizje një ndërgejgje globale, shoqëruar edhe me aksion ushtarak, kundër gjenocidit serb në Kosovë.

Rasti i pestë, sërish lidhet me Kosovën. Kësaj radhe ishte vizita në Shqipëri në qershor të vitit 2007 e presidentit të SHBA-ve, George W. Bush, i cili në Tiranë paralajmëroi shumë qartë: “Mjaftë është mjaftë, Kosova është e pavarur”. Menjëherë pas një viti (17 Shkurt 2008) Kosova shpalli pavarësinë si shtet dhe me këtë paralajmërimi i Presidnetit Bush u bë realitet.

Prandaj jo kot Shtetet e Bashkuara të Amerikës mbeten partneri ynë strategjik edhe për faktin se angazhimi amerikan për integrimin euro –atlantik të vendeve të rajonit, të  Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut,  Kosovës etj.  dhe forcimi e shtetit të së drejtës dhe demokracisë, mbetet vendimtar për të sotmen dhe për të nesërmen e këtyre  vendeve. Kontributi i SHBA-ve është i prekshëm në shumë dimensione të ruajtjes së stabilitetit rajonal dhe demokracisë funksionale, dhe kjo është shpërfaqur edhe përmes angazhimit direkt të ambasdorëve dhe stafit të ambasadës amerikane këtu në Shkup dhe gjetiu në rajon.

Ky angazhim ka qenë i dobishëm në inkurajimin e reformave administrative e gjyqësore, ndonëse burokracia shtetëtërore dhe politikanë të caktuar herë herë kanë abuzuar me mbështetjen amerikane, duke e (keq) përdorur proamerikanizmin edhe si mburojë për veprime antilogjore e korruptive. Ambasada Amerikane në Shkup ka qenë dhe mbetet shumë miqësore edhe me ITSHKSH, fakt ky që dëshmon se ne si qendër e studimeve dhe hulumtimeve historike, gjuhësore e kulturologjike e gëzojmë një mbështetje të parezervë të kësaj ambasade dhe kjo është shprehur përmes takimeve, vizitave e konsultimeve që janë zhvilluar me vite të tëra, për çka jemi shumë mirënjohës.

Fryma dhe displina amerkane e punës kreative, mbetet udhëtreguesi im kryesor si në karrierën profesionale ashtu edhe në ndërtimin e botëkuptimeve mbi fenomenet dhe proceset shoqërore.
Pavarsësisht turbulencave nëpër të cilat kalojnë shoqëritë tona, sensibliteti civilizues gjithpopullor mbetet i orientuar nga vlerat euro-atlantike, të udhëhequra nga Amerika, sepse vetëm një orientim i
tillë paraqet siguri, ardhmëri dhe priospritet për rajoniun dhe më gjerë.

Shkup, 03 korrik, 2023

E MËPARSHME

Rreziku nga Inteligjenca Artificiale, po përdoret nga pedofilët për të krijuar imazhe të abuzimeve me fëmijët

E ARDHSHME

Atentati në Krujë/ Plagosen në oborrin e banesës dy djemtë e Gentjan Bejtjes, 13-vjeçari në gjendje të rëndë