Shpresat e thyera të Ballkanit Perëndimor për integrim në BE

Zgjerimi i Bashkimit Evropian është kthyer në modë. Ministrat dhe zyrtarët e BE-së janë të zënë duke diskutuar se si do të dukej një BE me 35 shtete anëtare. Njerëzit në Bruksel e pohojnë me entuziazëm se portofoli i komisionarit të zgjerimit të BE-së, i cili do të jetë vakant në vitin 2024, është njëri prej më të kërkuarve.

Zhurma bëhet kryesisht për shkak të mënyrës se si Ukraina i është përgjigjur pushtimit në shkallë të plotë nga Rusia, vitin e kaluar. Me një shpejtësi historike, ky vend është bërë vend kandidat për anëtarësim në BE, së bashku me Moldavinë.

Të dyja vendet kanë vazhduar të reformohen në muajt e fundit, pavarësisht vështirësive politike me të cilat përballen, dhe të gjithë treguesit thonë se dyshja do t’i nisë bisedimet e pranimit në BE në fund të këtij viti.

Por, këtu ka edhe diçka tjetër që ia vlen të rikujtohet. Më 21 qershor janë bërë njëzet vjet nga Samiti i Selanikut. Tani, BE-së i pëlqen të mbajë samite. Nëse ka një gjë për të cilën të gjithë në Bruksel mund të bien dakord, ajo është mbajtja e një mbledhjeje çdo muaj. Por ky samit – në qytetin e dytë më të madh të Greqisë, dy dekada më parë – ka qenë historik.

Ka qenë samiti i parë BE-Ballkani Perëndimor, ku është thënë se të gjitha vendet që kanë dalë nga ish-Jugosllavia – plus Shqipëria – do të bëhen anëtare të BE-së.

Atëherë, ashtu si edhe tani, ka pasur shpresa dhe emocione. Rajoni, asokohe, ka dalë nga luftërat shkatërruese të viteve 1990, por tani të gjitha vendet janë të buzëqeshura dhe të gatshme për të bashkëpunuar.

Dhe, vetë BE-ja ka qenë e mbingarkuar. Vetëm pak muaj më parë është nënshkruar Traktati i Athinës, që u ka hapur rrugë tetë vendeve të Evropës Qendrore dhe Lindore – përfshirë ish-republikën jugosllave të Sllovenisë – për t’iu bashkuar bllokut në vitin 2004. E ardhmja është dukur e ndritur.

Nga Deklarata e Selanikut, qartazi, shumë gjëra kanë ndryshuar dhe shumë nuk kanë ndryshuar. Rreshti kryesor në deklaratë ka qenë: “BE-ja përsërit mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. E ardhmja e Ballkanit është brenda Bashkimit Evropian”.

Në atë kohë, kjo ka pasur domethënie. Por, pjesa frustruese e saj është se në 20 vjetët e fundit nuk ka pasur më shumë lëvizje.

Kur udhëheqësit e BE-së janë takuar në Bruksel javën e kaluar, ata kanë miratuar konkluzionet e samitit, që thonë: “Duke kujtuar deklaratën e Samitit të Selanikut BE-Ballkani Perëndimor, të 21 qershorit 2003, dhe konkluzionet e mëparshme, veçanërisht ato të 23-24 qershorit 2022, Këshilli Evropian konfirmon përkushtimin e tij të plotë dhe të qartë ndaj perspektivës së anëtarësimit të Ballkanit Perëndimor në BE dhe mbështetjen e tij për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit dhe të reformave përkatëse”.

Nuk ka vërtet ndonjë dallim të madh. Megjithatë, jo gjithçka ka mbetur njësoj. Kroacia është bërë anëtare e BE-së në vitin 2013 dhe të gjitha vendet e rajonit, përveç Kosovës, e cila në vitin 2003 nuk ka qenë ende e pavarur, janë tani kandidate për anëtarësim në BE.

Por, vetëm dy prej tyre – Mali i Zi dhe Serbia – kanë filluar bisedimet e pranimit dhe hera e fundit që njëri prej këtyre dy vendeve ka hapur ose mbyllur ndonjë nga mbi 30 kapitujt e negociatave, ka qenë dy vjet më parë. Thënë thjesht: Asnjë vend i Ballkanit Perëndimor nuk do t’i bashkohet BE-së së shpejti.

Një pjesë e problemit është edhe vetë BE-ja. Dy vjet pas Selanikut, votuesit francezë dhe holandezë e kanë kundërshtuar një kushtetutë të re të BE-së, duke e zhytur bllokun në një krizë institucionale. Pastaj, problemet janë shfaqur njëri pas tjetrit.

Eurozona pothuajse është shpërbërë gjatë krizës financiare që ka filluar në vitin 2008; kriza e migracionit e viteve 2015-16 gati se nuk e ka copëtuar bllokun; pastaj, Brexit-i, pandemia dhe pushtimi rus i Ukrainës kanë bërë që BE-ja të fokusohej diku tjetër, përveç Ballkanit.

Për ta ilustruar këtë mjafton të kujtohet Deklarata e Selanikut. Në paragrafin e saj të fundit thuhet: “Kemi rënë dakord të takohemi periodikisht, në kuadrin e një forumi BE-Ballkani Perëndimor, me qëllim që të diskutojmë çështje me interes të përbashkët, për të shqyrtuar progresin e vendeve të rajonit në rrugën drejt Evropës dhe për të shkëmbyer pikëpamje mbi zhvillimet kryesore në BE”.

Kur është mbajtur samiti i ardhshëm BE-Ballkani Perëndimor? Në vitin 2017 në Sofje. Që atëherë, samitet janë mbajtur pothuajse rregullisht, por nuk kanë rezultuar të dobishme. Në njërin prej tyre, në Slloveni në vitin 2021, disa vende anëtare perëndimore të BE-së as që kanë dashur ta përmendin fjalën “zgjerim” në komunikatën përfundimtare./REL

E MËPARSHME

Nuk ka marrëveshje mes Qeverisë së RMV-së dhe sindikatave për pagat

E ARDHSHME

Messi “zbulon” Amerikën/ Detajet e kontratës së argjentinasit i cili do të paguhet mbi 50 milion në vit