Analistët: Pa sulme ndaj shqiptarëve dhe Perëndimit, VMRO-DPMNE nuk funksionon dot!

“VMRO-DPMNE është parti politike që në këto 30 vite veprimtari ka kursyer vetveten për të bërë kompromise në interes të qytetarëve dhe shtetit. Të ishte për VMRO-DPMNE-në, sot nuk do të ishim në NATO, por as nesër në BE”, kështu thonë për Indeks.mk, njohësit e zhvillimeve politike në vend, duke komentuar refuzimin e opozitares VMRO-DPMNE, ndaj ndryshimeve kushtetuese, dhe me këtë edhe të rrugëtimit të vendit drejt Bashkimit Evropian (BE).

“Çdo subjekt politik artikulon agjenda që rrisin përkrahjen popullore. Por politika kërkon kompromise. VMRO-DPMNE është parti politike që në këto 30 vite veprimtari ka kursyer vetveten për të bërë kompromise. Kujtojmë kompromiset e mëdha që janë bërë në vend. Ndryshimi i flamurit, ndryshimi i emrit dhe marrëveshjet me shtetet fqinje, VMRO-DPMME lëre që nuk i përkrahu por pati rol destruktiv duke linçuar LSDM si parti që shet interesat nacionale. Asnjë nga këto kompromise nuk është bërë në qeverisjen e tyre. Periudha 2006-2017 shteti ngeli në vendnumëro. Të ishte për VMRO-DPMNE-në, sot nuk do të ishim në NATO, por as nesër në BE”, tha për Indeks.mk, Driton Zenku – gazetar dhe komentator politik.

Sipas tij, qasje e etabluar, çdoherë në anën e kundërt me frymën euro-atlantike dhe shqiptarët, nuk mund të pritet të ndryshojë, e as për ndryshimet kushtetuese.

– “Patriotizmi” është ana e fort e tyre, edhe pse si parti politike përveçse deklarimeve nuk lë të kuptosh se punon për shtet dhe popull. Kur është në pushtet, nuk lë gjë pa plaçkitur. Anti-amerikanizmi, anti-europianizmi dhe anti-shqiptarizmi është oferta anestezike që i ofrohet popullit, e që fatkeqësisht në masë të madhe bie në këtë grackë. Pa sulme ndaj shqiptarëve dhe perendimit, VMRO-DPMNE nuk funksionon dot!”, nënvizoi Zenku.

Ish-deputeti Zudi Xhelili thotë se nëse i analizohen me vëmendje qëndrimet e VMRO DPMNE-së, do të vëreni një labilitet, pasiguri apo mungesë vizioni për të ardhmen.

“Njëherë pranuan t’i votojnë ndryshimet kushtetuese me kusht që të formohet qeveri e zgjeruar pa BDI-në, pastaj kërkojnë garanci nga faktori ndërkombëtar se Bullgaria nuk do të paraqes akoma kërkesa tjera. Të gjitha këto tregojnë se VMRO-DPMNE nuk ka qëndrim të prerë dhe kërkesa konkrete. Kjo ndodh për shkak se nuk janë të sigurt në veprimet e veta dhe për ta mbajtur rejtingun e lartë kundrejt LSDM-së, bëjnë politik populiste. Sa i përket anti- amerikanizmit apo kundërshtimeve ndaj partnerëve europianë, është lojë e tyre për të treguar se janë në shërbim të vendit, por aferat e shumta korruptive, kriminaliteti dhe ngecja e vendit në procesin euro-integrues është meritë tyre. Ata duke luajtur me zjarrin mund të djegin veten”, shprehet Xhelili në deklaratën e tij për Indeks.mk

Çdo sjellje e tyre, shprehet mëtej ai, e deritanishme antishqiptare e kemi kuptuar si politikë ditore, përndryshe, nuk do t’u lejohet kjo të ndodhë në vazhdimësi, sepse, siç thotë Xhelili, “edhe ne kemi mekanizma t’ua ndalim hovin”.

Juristi Qenan Aliu nuk mendon se edhe shumë kohë VMRO-DPMNE do të mund t’i refuzojë rekomandimet e komunitetit ndërkombëtar, sa i përket ndryshimeve kushtetuese.

“Vlerësoj se vetëm kërkesa e tyre për të efektuar zgjedhje të parakohshme është legjitime si opozitë ndëkaq kërkesat tjera janë paradoksale. Ndryshimet kushtetuese do të ndodhin por në fund të këtij muaji do të mund të deshifrohet se në çfarë formati do të vijojë zbatimi i tyre”, potencoi Aliu.(Indeks.mk)

E MËPARSHME

Po vinin për një dasmë në Shqipëri, ndërroi jetë vajza 6-vjeçe e familjes shqiptare që u aksidentua në Bolonja

E ARDHSHME

Edona Mirakaj një histori suksesi me “Bestfertility” në Gjermani dhe më gjërë