Europe House Shkup feston 4 vjetorin e saj me Konkurs arkitektonik

Europe House Shkup shënoi përvjetorin e katërt, me ekspozitë dhe ceremoni gjatë së cilës u dhanë çmimet e konkursit arkitekturor dhe urban “Shkupi i gjeneratës së re”. Kjo ngjarje shfaqi talentin e arkitektëve të rinj të cilët do të kontribuojnë në zhvillimin urban të Shkupit.

Konkursi kishte 12 propozime nga 24 arkitektë të rinj, secili duke paraqitur plane për të ringjallur vende të ndryshme brenda qytetit. Çmimi i parë iu nda veprës “Zambak për Atë” (Lotus 4 Her) nga Antonio Grujevski i vendosur në shatërvanin Lotus në parkun e qytetit të Shkupit. Çmimin e dytë e morën Daniela Vasileva, Sara Veleska dhe Sara Trajkova për “Riimagjinimi i valëve të ngjyrave” (Reimagining Colorwaves), me qendër rreth bregut Dimitar Vlahov në lumin Vardar. Çmimin e tretë e morën Natalie Veleska, Alen Cvetkovski dhe Donna Mitrovska për projektin e tyre “SpineX”, që kishin për qëllim rigjallërimin e rrugës së “Plastikave” (Plasticharska).

Ngjarja u organizua në Postën Qendrore të Shkupit, vend me rëndësi të konsiderueshme historike, që është njohur nga Europa Nostra si një nga shtatë vendet më të rrezikuara të trashëgimisë evropiane. Më 26 korrik, datë kjo që përkon me 60 vjetorin e tërmetit shkatërrues të Shkupit, Europa Nostra, në bashkëpunim me Institutin e Bankës Evropiane për Investime, tërhoqi vëmendjen rreth nevojës urgjente për restaurimin e kësaj ndërtese. Kjo ndjenjë u pasqyrua edhe në fjalimin e bërë nga ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, i cili theksoi rëndësinë e veprimit të menjëhershëm për të ruajtur këtë ndërtesë historike.

“Sot qëndrojmë këtu, në Postë, që ndoshta paraqet shembullin më emblematik të artit brutalist; një estetikë që formësoi identitetin arkitektonik të Shkupit pas tërmetit, për të kujtuar trashëgiminë kulturore që duhet mbrojtur dhe çmuar. Sot, Posta vazhdon të jetë pa çati dhe nën rrezik të madh, rrezik i cili rritet vazhdimisht, nga mospërdorimi dhe përkeqësimi. Megjithatë, Posta, sipas fjalëve të Sartrit, nuk e pranon humbjen! Mirëpo as ne. Për këtë arsze vendosëm të shënojmë ditëlindjen e katërt të Europe House pikërisht këtu. Në ditën e çlirimit të Shkupit.” – u shpreh ambasadori Gir.

Ministrja e Kulturës, Bisera Kostadinovska-Stojçevska, në fjalimin e saj falënderoi ambasadorin Gir dhe theksoi se “Kjo ngjarje e rëndësishme, e Europe House Shkup me karakter kulturor, arriti të bashkojë historinë dhe të ardhmen, me krijimtarinë e studentëve të arkitekturës.” Ajo shtoi se ky konkurs ka bërë një hap përpara dhe ka lidhur të shkuarën me aspiratat për të ardhmen.

Konkursi Shkupi i gjeneratës së re u vlerësua nga një juri prej 5 anëtarësh nga të pesë fakultetet e arkitekturës në Shkup, (Universiteti Ndërkombëtar Ballkanik, Universiteti Amerikan Kolegji Shkup (UACS), Universiteti MIT, Fakulteti i Shkencave Sociale (FON) dhe Universiteti “Shën. Kirili dhe Metodi” Shkup). Prof. Dr. Bojan Karnakov, në emër të jurisë shpjegoi se: “Qëllimi kryesor i konkursit është të frymëzojë ide inovative për dizajnin arkitekturor dhe urban që do të rriste ndjenjën e bashkësisë në hapësirat publike të pjesëve të qytetit të lëna në kujtesa të Shkupit, ku arkitektët e rinj deri në moshën 35 vjeç do të fokusoheshin në rimendimin dhe ridekorimin e pjesëve të qytetit, në mënyrë që të krijonin një mjedis të qëndrueshëm dhe gjithëpërfshirës.”

Projekti fitues “Zambak për atë” (Lotus 4 her), i realizuar nga arkitekti i ri Antonio Grujevski, përfaqëson një projekt vizionar të peizazhit dhe restaurimit që synon të rrisë qëndrueshmërinë e gjelbër brenda strukturës urbane të Shkupit, duke u bërë homazh grave arkitekte pioniere që luajtën rol kryesor në rindërtimin e qytetit pas tërmetit në vitin 1963. Në fjalimin e pranimit, Grujevski reflektoi “Për një muaj do të jemi në vitin 2024 dhe të gjithë politikanët dhe disa kolegë tanë ende po flasin për Shkupin 2014. Bota po ecën përpara. Evropa po ecën përpara. Kemi sfida me ndryshimet klimatike, me pavarësinë energjetike dhe me ndotjen e ajrit. Këto janë sfida në të cilat ne duhet të fokusohemi dhe t’i bashkohemi vizioneve të Bashkimit Evropian”.

Ekspozita në Postën Qendrore do të jetë e hapur për publikun tre ditët e ardhshme, nga e marta në të enjte, prej ora 12:00 deri në ora 15:00.

E MËPARSHME

Sot, Ali Ahmeti viziton degën e BDI në Çair, promovohen projekte programore

E ARDHSHME

Festim Halili nënshkruan marrëveshje me IESC Amerikane për trajnim dhe punësim të 200 të rinjve në projektet e blerta